Tjetër tym i zi në Evropë lidhur me embargon e naftës ruse, masë që përfshihet në paketën e 6 të sanksioneve kundër Moskës.
Negociatorët e Bashkimit Evropian dështuan të arrinin një marrëveshje mbi çështjen, por përpjekjet do të vazhdojnë gjatë samitit të BE-së që nis këtë të hënë.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski pritet t’i drejtohet samitit përmes një video-lidhje, për të nxitur ashpërsim të sanksioneve kundër Rusisë.
Bashkimi Evropian po diskuton një propozim, mbi bazë të së cilit shtetet anëtare duhet të pranojnë pezullim të furnizimeve me naftën ruse përmes detit deri në fund të vitit. Përjashtime do t’u mundësohen Hungarisë, Sllovakisë dhe Republikës Çeke që do te lejohen te marrin naftën përmes gazsjellësit 4 mijë km të gjatë të Druzhda-s.
Por Bloomberg, që citon burime të afërta me bisedimet raporton se Hungaria ka refuzuar deri më tani të mbështesë kompromisin. Siç thuhet, Budapesti kishte sugjeruar më herët se do të jepte dritën jeshile nëse do të lejohej të siguronte naftën përmes tubacionit rus.
Sipas Bloomberg, Budapesti po kërkon tani koncesione të mëtejme. Ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck paralajmëroi të dielën se uniteti i BE-së kishte filluar të thërrmohej.