Gjatë dëshmisë, Adem Salihaj sqaroi se ishte duke udhëtuar me veturë, kur në retrovizor e ka vërejtur një veturë të tipit Golf II, e cila ishte duke lëvizur ngadalë dhe pas tij ka qenë një veturë tjetër.
“Kam menduar se në ‘Golf’ mund të jenë personat që do të më vrisnin. Më pas e kam vërejtur vetëm veturën tjetër, e cila ishte ‘Opel Omega’, ecte ngadalë dhe nuk më tejkalonte, për çka dyshova se do të më sulmonin. E nxora revolen nga brezi, isha duke ecur në mes të rrugës, makina prapa meje i ra borisë për t’ia lëshuar rrugën. Unë u largova nga ana e djathtë. Kur vetura tjetër mu afrua përball, personi i ulur përpara, e nxori revolen me shurdhues, mendoj se ka qenë e tipit “Scorpion” dhe me ironi më përshëndeti ‘Tungjatjeta burrë’. Edhe unë e nxora revolen ia drejtova dhe e përshëndeta ‘Tungjatjeta burrë’”, ka rrëfyer Salihaj, i cili ishte zyrtar i lartë i LDK-së në atë kohë.
“Atij nuk i ka shkrepur arma dhe as mua, ngase nuk e kisha hequr siguresën. Janë tërhequr prapa, ndërkohë ia kam hequr siguresën revoles dhe kam shtënë tre herë në drejtim të tyre. Ata janë larguar, pastaj jam nisur për të shkuar në shtëpi. Për të hyrë në shtëpinë time duhet të kalohet në një rrugë, e cila të qon vetëm në shtëpinë time. Afërsisht 30 metra para shtëpisë ka qenë një veturë e ndalur, jam ndalur rreth 30 metra larg tyre, ata janë larguar pak dhe pastaj unë kam hyrë në shtëpi, e kam thirrur UNMIK-un, policia ka ardhur”, ka vazhduar Salihaj./Gazeta papirus/