Skuadra e Trepçës ’89 është kurorëzuar me titullin e kampionit në Superligën U19.
Për klubin mitrovicas kjo është hera e parë që ka arritur ta fitojë titullin në këtë grupmoshë.
Skuadra e drejtuar nga Seidi Onbashi e ka mbyllur kampionatin me 24 fitore, 1 barazim e 5 humbje, duke e fituar me plot meritë epitetin e kampionit në këtë nivel të garave.
Madje, Trepça ’89 e siguroi titullin dy javë para përfundimit të kampionatit, me fitoren 4:2 ndaj Ferizajt, kur edhe u kurorëzua me trofe, teksa sot në ndeshjen përmbyllëse të edicionit pësoi humbje nga Prishtina (3:4), e ku trajneri Onbashi inkuadroi në lojë disa prej lojtarëve që kishin pasur më pak hapësirë gjatë këtij kampionati.
Nga Superliga U19 janë përshëndetur Feronikeli, Roni 19 dhe Istogu, derisa në këtë rang të garave në edicionin e ri promovohen KEK-u, Vushtrria dhe Drenica. /Gazeta Express/