Veriu dhe jugu i Kosovës po përballen me stuhi të fuqishme. Përbrenda pak orësh, në vend janë regjistruar një mijë shkarkime rrufesh.
“Momentalisht kemi stuhi të fuqishme në veri dhe jug të Kosovës, ku të pakten 1000 shkarkesa elektrike janë regjistruar për pak orë, duke sjellur reshje të fuqishme, lokalisht rrëke dhe breshër”, njofton Meteo Kosova.
Sipas të njëjtës, edhe zona jugore po përjeton rrebeshe shiu, breshër dhe shkarkesa rrufesh, ndonëse jo sikur në veri por prapë e fuqishme. Stuhia e cila gjendet në jug, po lëvizë drejt verilindjes.
Siç njofton kjo platformë, Situata më e ndërlikuar paraqitet të dielën, ku pritet në pjesën më të madhe të vendit të ketë të reshura, të cilat në momente të caktuara do të jenë të fuqishme.
Këto reshje do të shoqërohen me erëra të fuqishme, shkarkesa të ashpërta rrufesh dhe breshër, me ç’rast priten edhe vërshime lokale.
Po ashtu, do të kemi edhe depërtimin e masave të freskëta ajrore, duke sjellur edhe ulje të temperaturave, rreth 20°C.