Mbrëmë në mesnatë ka ndodhur një vrasje e rëndë në Ferizaj, ku nga të shtënat me armë zjarri ka mbetur i vdekur një person, si dhe një tjetër është plagosur nga policia.
Gazeta Insajderi mëson se personI qe mbeti i vrarë nga të shtënat me armë është Gazmend Hyseni i njohur me nofkën Strella. Ndërsa dorasi që vrau Strellën është vëllai i reperit Buta, Qëndrim Januzi i njohur me nofkën ‘RIFA’.
Këtë e ka konfirmuar për Insajderin edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Bastri Shabani.
Sipas Policisë, dyshohet se personi Qëndrim Januzi ka shtënë me armë zjarri ndaj Gazmend Hysenit, i cili si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Tutje, thuhet se Januzi kur është urdhëruar nga policia që të ndalojë, i është kthyer policisë duke ia drejtuar armën, po njëri nga zyrtar policor për ta shmangur rrezikun e kishte plagosur Januzin.
“Personi i dyshuar ka tentuar me ik, aty ka rastis polici në rroba civile, i cili ka qenë duke e transportuar një të dyshuar tjetër në Gjilan. Ai është prezantuar si polic që me u ndal i dyshuari, ai nuk është ndalë. Është rrezikuar edhe polici nga ana e të dyshuarit, dhe është detyruar me shti, e ka godit njëherë në nofull”, ka theksuar Jashari për Insajderin.
Gazeta Insajderi ka siguruar pamjet ku shihet Qëndrim Januzi i plagosur nga të shtënat e policit civil.