Bisedimet që kanë si qëllim që të sheshojnë mosmarrëveshjet mes Turqisë, Suedisë dhe Finlandës sa i përket anëtarësimit të dy vendeve nordike në NATO, nuk po tregojnë asnjë shenjë progresi.
Kjo të paktën sipas një zyrtari turk i cili thotë për agjencinë e lajmeve Reuters se është bërë pak ose aspak progres ndërsa shton se procesi nuk është i lehtë. Negociatat do të vazhdojnë, por nuk është caktuar një datë për to, raporton Reuters duke cituar burime.
Të 30 anëtarët e NATO-s, përfshirë Turqinë, duhet të miratojnë aplikimet nga Suedia dhe Finlanda për t’u bashkuar me aleancën perëndimore ushtarake.
Por Turqia ka kërcënuar të vendosë veton pasi i akuzon dy vendet nordike se strehojnë individë të lidhur me terroristët kurdë, një pretendim ky i mohuar nga Suedia dhe Finlanda. Disa analistë e shohin qëndrimin e Turqisë si një përpjekje për të fituar lëshime nga anëtarët e tjerë të NATO-s. /abcnews.al/