Kryeministri kosovar Albin Kurti u prit në takim nga zyrtari amerikan Jake Sullivan në Ndërtesën e Zyrës Ekzekutive Eisenhower (EEOB).
Albin Kurti ka thënë se më 17 maj ka qëndruar për vizitë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë në Uashington D.C..
Kryeministri i Kosovës ka thënë sot se vizita e tij në Shtetet e Bashkuara, përfshirë edhe qëndrimi në rezidencën presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk do duhej ta befasonte askënd.
Rreth tri javë më vonë, në një paraqitje para mediave në Prishtinë të premten, Kurti tha se në Shtëpinë e Bardhë u takua me “një person të informuar” si Jake Sullivan, Këshilltarin për Siguri Kombëtare të presidentit Joe Biden.
“Unë kam qenë në Shtëpinë e Bardhë, dhe takimi që është mbajtur aty ka qenë me këshilltarin për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, që është pikërisht takim në funksion të një qëllimi tjetër përveç investimeve në Kosovë, ajo është siguria për Kosovën”, pohoi sot shefi i qeverisë.
Në njoftimin e qeverisë për takimin Kurti-Sullivan, të shoqëruar nga një fotografi në hollin e një ndërtese të qeverisë amerikane mes dy zyrtarëve, nuk është përmendur Shtëpia e Bardhë. As nuk është përshkruar hollësisht vendi i realizimit të takimit.
Afirmimi i kryeministrit Kurti për vizitën në Shtëpinë e Bardhë të martën e 17 majit mbështetet në vizitën e tij pranë një institucioni të rëndësishëm të rezidencës kryesore të qeverisë amerikane.
Bazuar në të dhëna të verifikuara, kryeministri kosovar u prit në takim nga Sullivan në Ndërtesën e Zyrës Ekzekutive Eisenhower (EEOB) – e njohur më parë si Ndërtesa e Zyrës së Vjetër Ekzekutive.
“The Eisenhower Executive Office Building” përshkruhet nga Shtëpia e Bardhë si një nga ndërtesat më të mëdha në të cilën janë të vendosur zyrtarë ekzekutivë të qeverisë amerikane në Uashington D.C..
“EEOB” është pjesë institucionale e Shtëpisë së Bardhë, e cila është e vendosur në afërsi prej rreth 45 metrave me Krahun Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë.
“EEOB” është ndërtesa në skajin e krahut të majtë në fotografi/ Ilustrim: Washington Post
Kjo ndërtesë strehon shumicën e zyrave për stafin e Shtëpisë së Bardhë, bazuar në të dhënat e publikuara në faqen e internetit të Shtëpisë së Bardhë.
Përveç se është e vendosur zyra e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, në kuadër të së cilës ushtron funksionin e tij Jake Sullivan, aty janë të vendosur edhe Zëvendëspresidenti i ShBA-ve dhe kabineti i tij.
E dizenjuar nga arkitekti amerikan Alfred Mullett, graniti dhe fasada e jashtme e bëjnë EEOB një nga shembujt më të mirë të ndërtesa amerikane në stilin e arkitekturës së Perandorisë së Dytë Franceze.
Kjo ndërtesë filloi të ndërtohej më 1979 dhe u përfundua më 1888 dhe ishte më e madhja në bazë të numrit të zyrave në Uashington me afro 2 kilometra korridore të cilat janë të shtruara me pllaka bardh e zi.
Pikërisht këto pllaka bardh e zi, stili dhe dizajni i njëjtë i tyre, bien në sy te fotografia e vetme e publikuar nga takimi i kryeministrit Kurti me këshilltarin Sullivan në Uashington.
Para se të merrte emërtimin Ndërtesa e Zyrës Ekzekutive Eisenhower, në nderim të ish-presidentit Dwight Eisenhower, më herët ajo është njohur me si Ndërtesa e Shtetit, Luftës dhe Marinës.
Kryeministri Kurti është kthyer në Kosovë të enjten pas plot 20 ditësh qëndrimi jashtë vendit, në vizita zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Zvicër, ku mori pjesë në Forumin e Davosit.