Hetimet rajonale kanë kryer sot bastisje në një lokal në rrugën “19 Qershori”, në Podujevë, nën dyshimet se organizoheshin lojëra të fatit.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se pas kontrollit nga ana e zyrtarëve policorë në lokalin “Sport Caffe”, janë gjetur pesë aparate, si dhe një shumë e parave, të cilat janë sekuestruar nga njësiti policor.
Pronari i këtij lokali është shoqëruar në stacion policor, ku gjatë intervistimit e ka pranuar se në lokalin e tij janë organizuar lojëra ilegale. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të njëjtit është iniciuar rasti “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Organizimi i lojërave të fatit është veprimtari ilegale në Kosovë që nga viti 2019. Atë vit, Kuvendi i Kosovës vendosi t’i ndalojë lojërat e fatit në një periudhë dhjetëvjeçare.