Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, beson se ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia e ka shkelur ligjin duke u punësuar në një spital privat. Se a është në dijeni të kësaj, ai në seancën e sotme të Kuvendit e pyeti ministrin aktual të Shëndetësisë, Rifat Latifin.
“Në media është raportuar që paraardhësi juaj, ish-ministri Arben Vitia ka filluar punën në kompaninë Olive. Në foton e publikuar në media, ai shihet me stafin e kësaj kompanie. Në aplikacionin për licencim të spitalit “Olive” në Ministrinë e Shëndetësisë, Arben Vitia figuron staf i kësaj kompanie”, tha Haxhiu.
Në përgjigje, ministri tha se çdokush “ka të drejtë të punojë aty ku ka dëshirë”.
“Është fare e qartë se kjo pyetje është jashtë komforitetit tim me u përgjigj, por nëse është shkelë ligji, atëherë sigurisht organet përkatëse do të merren me to. Ndërsa unë mendoj se çdo qytetar i Republikës së Kosovës ka të drejtë të punojë aty ku ka dëshirë, qoftë në sektorin privat apo në sektorin shtetëror. Por nëse ka pasë shkelje të ligjit, atëherë sigurisht organet përkatëse do të merren me të”, tha Latifi.