Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, ka treguar se i është drejtuar me letër anëtarit serb të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik, për t’i kërkuar që të hiqen vizat meqë kjo çështje po ia vështirëson shkuarjen në Bosnje boshnjakëve të Kosovës.
Në një intervistë për Al Jazeera Balkans, Balje ka kërkuar edhe krijimin e një Zyre Ndërlidhëse mes Kosovës dhe Bosnjës siç e ka Kosova në Beograd, por kësaj kërkese ajo ka thënë se nuk i është përgjigjur askush nga Bosnja.
Ajo thekson se në letrën e hapur drejtuar Dodikut, ajo nuk ka kërkuar pavarësinë e Kosovës, por lehtësimin e udhëtimit dhe regjimin pa viza ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, udhëtim i cili është më i vështiri nga të gjitha vendet e rajonit.
Balje thotë se boshnjakët në Kosovë e ndiejnë Bosnjën dhe Hercegovinën si vendin e tyre, por pak ose aspak ka bashkëpunim. Ajo beson se njohja e Kosovës është çështje kohe dhe se kur ta njohë Beogradi, të njëjtën gjë do ta bëjë edhe Sarajeva.