Miliona euro borxh të papaguara ndaj dy ndërmarrjeve kosovare i posedon Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO).
KESCO e cila është në pronësi të kompanisë turke “Limak&Calik”, ka një borxh ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe ndaj KOSTT-it, operatorit të sistemit të transmisionit dhe tregut mbi 120 milionë euro.
Burime të FrontOnline bëjnë me dije se vetëm ndaj KEK-ut borxhi është 94 milionë euro, derisa ndaj KOSTT-it 27 milionë euro.
“Janë mbi 120 milionë euro borxh. Prej tyre 94 milionë janë ndaj KEK-ut dhe 27 milionë ndaj KOSTT-it”, ka thënë ky burim për FrontOnline.
Lidhur, me çështjen e borxhit FrontOnline ka kërkuar përgjigje edhe në KOSTT.
Zyrtarë të KOSTT-it thanë përmes një përgjigje me shkrim se nuk mund të ndajnë me publikun informata rreth obligimeve financiare të kompanisë në pronësi të afaristëve turq.
“Bazuar në legjislacionin primar dhe sekondar, kjo informatë e kërkuar nga ana e juaj konsiderohet si informatë konfidenciale dhe e ndjeshme nga aspekti komercial. Andaj, KOSTT ju udhëzon që pyetjen t’a drejtoni në KEDS/KESCO”, ka thënë Zana Bajrami-Rama, menaxhere për Komunikim dhe Relacione me Publikun.
Kësisoj, borxhi i papaguar i KESCO-s ndaj KOSTT-it e rëndon funksionimin financiar të ndërmarrjes.
E, pyetur se a kanë kërkuar që ky borxh t’u paguhet, Bajrami-Rama ka thënë se e kanë adresuar këtë çështje.
“KOSTT ka adresuar çështjen e obligimeve financiare të pashlyera ndaj KOSTT nga ana e palëve të kyçura në sistemin e transmetimit”, është shprehur ajo.
Ndërsa, ka treguar se cilat prej obligimeve financiare i ka paguar dhe cilat kanë mbetur të papaguara nga KESCO ndaj KOSTT-it.
“Deri më tani KESCO ka paguar për obligimet financiare për shfrytëzimin e rrjetit të transmetimit dhe shërbimet e tjera të operimit deri më 1 janar 2022. Ndërsa KEDS ka paguar të gjitha borxhet për shfrytëzimin e rrjetit të transmetimit. Të papaguara kanë mbetur obligimet financiare për imbalancet nga muaji dhjetor 2021 e tutje për shkak të problemeve me të hyrat nga tarifat”, ka deklaruar Bajrami-Rama.
Derisa, kanë thënë se për çështjen e borxhit të kërkohet përgjigje në KESCO/KEDS.
Por, pavarësisht interesimit të portalit nga kjo kompani për dy ditë nuk kanë kthyer përgjigje.
Pyetjeve nuk i janë përgjigjur as nga KEK-u.
KOSTT-i, në fillim të këtij viti ka paralajmëruar Qeverinë e Kosovës se pagesat që ndërmarrja realizon për energjinë elektrike të shpenzuar në veri, janë duke e çuar atë drejt falimentimit.
Sipas tyre, kostoja e humbjeve në pjesën veriore gjatë vitit 2021 ka arritur vlerën prej 40,849,659 euro.
“Detyrimi i vendosur nga ZRrE përmes Licencës për Operatorin e Sistemit të Transmetimit për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës duke mos përfshirë të hyrat për koston e kësaj energjie e ka sjellë KOSTT-in në prag të falimentimit”, thuhej në komentin e KOSTT-it.
‘Limak&Calik’ është një kompani turke e cila privatizoi distribucionin dhe rrjetin e energjisë elektrike në Kosovë më 2013.