Komuna e Rahovecit ka njoftuar sot se përmes një ceremonie solemne, organizuar nga kryetarja e Bashkisë së Përmetit në Shqipëri, Alma Hoxha, kryetarit të komunës së Rahovecit Smajl Latifi i është ndarë dekorata “Qytetar Nderi i Përmetit”.
Ceremonia u organizua në kuadër të shënimit të “Ditët e Naimit”, që është aktivitet tradicional në shënim të ditëlindjes së poetit tonë kombëtar Naim Frashëri.
Me këtë rast kryetarja Hoxha tha se bashkëpunimet Përmet – Rahovec kanë nisur vite më parë dhe kanë rezultuar me binjakëzimin e këtyre dy njësive administrative, si dhe me vëllazërimin e dy shkollave, “Nonda Bulka” në Përmet dhe “Mustafë Ibishi” në Kramovik.
“Po ashtu, janë realizuar vizita të ndërsjella dhe është thelluar komunikimi vëllazëror. Për të gjitha këto arritje merita të veçanta ka kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, prandaj Këshilli Bashkiak në Përmet e ka mbështetur propozimin për dhënien e titullit “Qytetar Nderi”, këtij miku të madh të Përmetit”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, Kryetari Latifi ka falënderuar ata që e nisën këtë ide, kryetarin e shoqatës atdhetare mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri”, Tomor Kotorri, ish kryetarët e Bashkisë së Përmetit Gilberto Jaçe e Niko Shupuli, si dhe kryetaren aktuale Alma Hoxha, për nderin që i kanë bërë.
“Ndër të tjera kryetari Latifi ka bërë thirrje që miqësia Përmet – Rahovec të kalojë nga ajo emocionale-vëllazërore në marrëdhënie me interes për qytetarët e këtyre dy njësive, respektivisht në marrëdhënie ekonomike, kulturore, arsimore, në fushën e agroturizmit dhe në sfera të tjera të jetës shoqërore. Në fjalën e tij të rastit kryetari i shoqatës atdhetare mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri” z. Tomor Kotorri, potencoi faktin se marrëdhëniet vëllazërore ndërmjet Përmetit e Rahovecit kanë dhënë e po japin rezultate konkrete, falë përkushtimit të madh të njerëzve të të dy njësive administrative. Anila Mihali, kryetare e Këshillit Bashkiak ia dorëzoi dekoratën “Qytetar Nderi i Përmetit” kryetarit Smajl Latifi”, thuhet tutje.
Më pas është mbajtur Konferenca Shkencore për kontributin e vëllezërve Frashëri për çështjen kombëtare, me ç’rast me kumtesa u paraqitën akademikët Marenglen Verli dhe Beqir Meta si dhe studiues e historianë të tjerë të shquar.