Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se 100 eurot për punëtorët e sektorit privat, do të dalin këtë javë në llogaritë e tyre bankare.
Ai, përmes Facebook, ka thënë ka mbetur të përfundohen procedurat e nevojshme, përpara transferimit të mjeteve.
Tani kanë mbetur të përfundohen vetëm procedurat e nevojshme për ekzekutimin e pagesave, dhe përfituesit që janë validuar do t’i pranojnë paratë në llogaritë e tyre këtë javë”, ka shkruar Murati.
“Në mbledhjen e sotme të Qeverisë kemi ndarë 35 milionë euro buxhet, të cilat do të mundësojnë pagesën e mbështetjes së njëhershme prej 100 euro për të punësuarit e sektorit privat dhe për studentët. Për të punësuarit, periudha e aplikimit ka përfunduar javën që shkoi, dhe komisioni deri më tani ka validuar shumicën e përfituesve që plotësojnë kriteret”, ka shkruar ai.
Ndërkohë, për studentët, Murati ka thënë se aplikimi mbetet i hapur ende.
“Për studentët ndërkaq, aplikimi është ende i hapur, dhe sapo të përmbyllet ky hap do të procedohet pagesa edhe për ta”, ka shkruar ai.
Sot, Qeveria e Kosovës ka miratuar ndarjen e 35 milionë eurove për zbatimin e masave për shtimin e mbështetjes për qytetarët e Kosovës. Nga ky vendin, punëtorët e sektorit privat me pagë mujore deri në 1000 euro bruto, do të përfitojnë shtesë 100 euro.
Në këtë mbledhje, Qeveria po ashtu ka ndarë 35 mijë euro për mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes në kuadër të masës për mbështetjen e sigurisë. /GazetaExpress/