Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) i është drejtuar sot me një shkresë kryeministrit Albin Kurti, zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ministrave Faton Peci e Liburn Aliu dhe KPMM-së për të shprehur shqetësimin e thellë për mos koordinimin e institucioneve, si rezultat i së cilës janë bllokuar qindra biznese dhe mijëra vende pune.
Përmes kësaj shkrese OAK ka kërkuar nga kryeministri dhe ministrat përkatës që me urgjencë të zhbllokojnë këto biznese, në mënyrë që të mos vijë deri te një kolaps zinxhiror dhe të shkaktohen humbje të jashtëzakonshme për bizneset, të punësuarit dhe të hyrave për vendin.
Ky reagim vjen si rezultat i mos përgjigjes së institucioneve të Kosovës, respektivisht MBPZHR, MMPHI dhe KPMM, që OAK ka një kohë të gjatë që është duke kërkuar takime individuale apo edhe të përbashkëta, në mënyrë që qindra kërkesa që janë depozituar tash e një kohë të gjatë të trajtohen dhe të lejohet vazhdimi i punës për këto biznese.
OAK ka kërkuar edhe njëherë nga ministri Peci, ministri Aliu e KPMM, tashmë edhe publikisht një takim urgjent për trajtimin dhe zgjidhjen e këtyre problemeve.
Problemi kryesor qëndron te mos vazhdimi i pëlqimeve dhe kontratave nga Agjencia e Pyjeve të Kosovës dhe pëlqimeve dhe lejeve mjedisore nga MMPHI, si rezultat i të cilave është bllokuar edhe KPMM.
OAK dhe bizneset janë të gatshme dhe në pritje që çdo kohë të takohen për trajtimin dhe zgjidhjen e problemit./KP