Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka ulur sot flamurin në gjysmështizë në nderim të 19 nxënësve që u vranë dje në një shkollë fillore në shtetin e Teksasit në ShBA.
Në shenjë respekti ndaj viktimave presidenti amerikan Joe Biden ka urdhëruar që flamujt në tërë SHBA-në të ulen në gjysmështizë raporton Gazeta Express.
“Sot flamuri ynë valon në gjysmështizë për të nderuar viktimat e akteve të pakuptimta të dhunës të kryera nga një person i armatosur në shkollën fillore Robb në Uvalde, Teksas dje”, thuhet në postimin e ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.
Nëntëmbëdhjetë fëmijë dhe dy në moshë madhore kanë vdekur nga të shtënat në një shkollë fillore në jug të Teksasit.
Një sulmues 18-vjeçar hapi zjarr në Shkollën Fillore Robb, në qytetin Uvalde, përpara se të vritej nga forcat e sigurisë, thanë zyrtarët.
Hetuesit thanë se sulmuesi kishte qenë i armatosur me një pistoletë, me një pushkë gjysmë-automatike të llojit AR-15 dhe kishte pasur karikatorë me kapacitet të lartë.
Adoleshenti dyshohet se fillimisht ka qëlluar gjyshen e tij dhe më pas ka vazhduar sulmin.
Mediat lokale raportuan se ai mund të ketë qenë nxënës i një shkolle të mesme në atë zonë.
Shefi i policisë për qarkun e pavarur të shkollës Uvalde, Pete Arredondo, tha se të shtënat kishin filluar në orën 11:32 sipas kohës lokale gjatë së martës, dhe hetuesit besojnë se sulmuesi ka “vepruar i vetëm gjatë këtij akti të tmerrshëm”.