Kandidati për deputet në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, në prag të ripërsëritjes së procesit zgjedhor në Tërnoc, ka thënë se gjasat që të dalë fitues janë reale dhe të pritshme.
Kamberi ka deklaruar se i duhen edhe së paku 610 vota, ndërsa ka theksuar se po mundohen t’i bindin qytetarët që të dalin të votojnë, pasi siç ka thënë, janë të revoltuar nga stërzgjatja e këtij procesi.
“Po gjasat janë reale. Në njësinë zgjedhore janë të regjistruar 1089 votues. Neve na nevojiten 610 vota minimum. Njerëzit janë të revoltuar për shkak të tejzgjatjes së procesit, por po mundohemi t’i bindim që të dalin të votojnë”, ka thënë shkurt ai për Telegrafin
Kujtojmë se zgjedhjet në vendvotimin nr. 6 në Tërnoc të Bujanocit do të mbahen për herën e tretë.
Më 28 prill, në këtë vendvotim ishin përsëritur zgjedhjet për Kuvend të Serbisë. Pas numërimit të votave, Shaip Kamberi kishte fituar shumicën e tyre, dhe kishte mbledhur mjaftueshëm për t’u zgjedhur deputet.
Por, më pas Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (RKZ) i kishte anuluar zgjedhjet e përsëritura. Kjo pasi Gjykata Administrative kishte hedhur poshtë ankesën e Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës-KSHL ndaj vendimit të KRZ-së për përsëritjen e zgjedhjeve në Tërrnoc. /Gazeta Papirus/