Një këshilltar i lartë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë e përshkroi si diçka të papritur shpërthimin e paprecedentë të sëmundjes së rrallë të lisë së majmunit në vendet e zhvilluara.
Dr. David Heymann, ish-drejtor i departamentit të emergjencës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se lija e muajmunëve mund të jetë përhapur përmes veprimeve të rrezikshme seksuale në dy festa masive të zhvilluara kohët e fundit në Evropë. Ai tha se teoria kryesore për të shpjeguar përhapjen e sëmundjes ishte transmetimi përmes marrëdhënieve seksuale midis burrave homoseksualë dhe biseksualë në dy festa muzikore të zhvilluara në Spanjë dhe Belgjikë. Përtej Afrikës, ku është sëmundje endemike tek kafshët, lija e majmunëve nuk është përhapur në masë.
“Ne e dimë se lija e majmunit mund të përhapet kur ka kontakt të ngushtë me plagët e dikujt që është i infektuar. Me sa duket, tani kontakti seksual e ka zgjeruar infektimin”, tha zoti Heymann.
Kjo shënon një ndryshim domethënës nga mënyra tipike e përhapjes së sëmundjes në Afrikën qendrore dhe perëndimore, ku njerëzit infektohen kryesisht nga kafshët e egra si brejtësit dhe primatët dhe shpërthimet e virusit nuk kanë kaluar përtej kufijve.