Mbretëria e Bashkuar nuk dëshiron të vonohet shumë marrëveshja Kosovë – Serbi. Arritjen e marrëveshjes finale në MB e presin mjaft shpejt.
Bislimi, që ishte takuar edhe me Stuart Peach, emisarin special të Mbretërisë së Bashkuar, tregoi në Komisionin për Punë të Jashtme lidhur me qëndrimin e këtij shteti për marrëveshjen finale, raporton Gazeta Express.
“Edhe për Mbretërinë e Bashkuar është me rëndësi që sa më shpejt të arrihet marrëveshja. Të shfrytëzohej kjo periudhë 18 muajshe deri në 24 muajshe ku nuk ka procese zgjedhore që janë me rëndësi në ndonjë nga vendet e Bashkimit Europian ose në dy shtetet që janë të përfshirë në bisedime, në mënyrë që kjo periudhë të shfrytëzohet për arritjen e marrëveshjes finale”, tha Bislimi.
Zëvendëskryeministri theksoi se në MB pajtohen për “synimin final të marrëveshjes”, por tha se ka vetëm një paqartësi.
“Nuk ka dilemë te asnjë prej bashkëbiseduesve në Mbretërinë e Bashkuar për atë se cili duhet të jetë synimi final i marrëveshjes. Vetëm se ka pak paqartësi rreth asaj se çfarë nënkuptohet me atë se marrëveshja duhet ta ketë në qendër njohjen. Dhe u dashtë me ua shpjegu se çfarë do të thotë kjo”, tha ai.
Këtë, Bislimi e shpjegoi edhe para anëtarëve të komisionit parlamentar.
“Për ne ka qenë e qartë se vendosja e njohjes në qendër të bisedimeve nuk nënkupton që ajo duhet të vijë para se të fillojnë negociatat, por të gjitha diskutimet, të gjitha aranzhimet duhet të jenë duke pasur si parakusht se po diskutojnë dy vende që e njohin njëra-tjetrën”, tha ai.
Bislimi shpjegoi se i gjithë procesi duhet të zhvillohet “nën premiset se vendet e njohin njëra-tjetrën”.