Kancelari Olaf Scholz ka planifikuar të vizitojë Serbinë dhe vendet e saj fqinje më 10 qershor. Burime të DW nw gjuhwn serbe thonë se qëllimi i vizitës është përgatitja më e mirë për samitin e Procesit të Berlinit.
“Kancelari gjerman Olaf Scholz pritet të vizitojë Serbinë më 10 qershor” kanë njoftur burime diplomatike serbe për transmetuesin publik gjerman.
“Ne po përpiqemi për atë datë, vizita ende duhet të koordinohet me vendet e tjera të rajonit”, tha burimi.
Sipas tij, Scholz, përveç Beogradit, sigurisht që do të vizitojë edhe Prishtinën, dhe udhwtimi synohet të shndërrohet në një turne të vogël ballkanik me vizita në Tiranë dhe Shkup, dhe ndoshta në Sarajevë.
Më herët, gazetari i Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens, kishte raportuar në Twitter se Scholz do të shkojw në Beograd më 10 qershor. Duke iu referuar burimeve të sigurta nga Berlini, ai tha se temat do të jenë “energjia, ekonomia, qëndrimi i Serbisë ndaj Rusisë” e të tjera.
Një burim i DW thotë se Scholz po përpiqet të përgatitet mirë për samitin e Procesit të Berlinit, i cili ndoshta do të zhvillohet në gusht: “Ndryshe nga ish-kancelarja Merkel, Scholz po shkon më shumë drejt zgjidhjeve konkrete. Ai kujdeset që ky samit të mos jetë thjesht një udhëtim i kushtueshëm, por të arrihen zgjidhje konkrete”.
Qëllimi i Procesit të Berlinit është të lidhë më ngushtë rajonet e Ballkanit Perëndimor, përmes qarkullimit të lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve.
Macron si frenues
Përveç përpjekjes për të përfshirë Beogradin në sanksione kundër Rusisë, Scholz do të përpiqet gjithashtu të ofrojë diçka për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, thonë burimet
Përkatësisht, presidenti francez Emanuel Macron pritet të bllokojë edhe më tej fillimin e negociatave të BE-së me Shkupin dhe Tiranën. Prandaj, sipas burimeve, samiti BE-Ballkani Perëndimor nën presidencën franceze do të mbahet në qershor në Bruksel dhe jo në Paris.
Macron dhe Scholz ndryshojnë në idetë e tyre për zgjerimin e BE-së. Presidenti francez ushqeu kohët e fundit vizionin e tij për një Evropë “me dy shpejtësi”, ku vende si Serbia dhe fqinjët e saj do të kishin një vend vetëm në unazën e jashtme, por nuk do të ishin anëtarë të plotë të BE-së.
Lartë në listën e prioriteteve
Vizita e Scholz-it në Ballkan është një provë e re se rajoni është lartë në listën e prioriteteve të koalicionit të ri në Berlin. Në fillim të majit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti vizituan Berlinin.
Më pas u vlerësua se Qeveria Scholz i kushton rëndësi të madhe problemit të Kosovës në dritën e luftës në Ukrainë. Scholz atëherë tha për herë të parë se “njohja reciproke” duhet të jetë pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse midis Beogradit dhe Prishtinës.