Pesë vjet më parë bënte pjesë në mesin e klubeve që konsiderohen si të “vogla” në futbollin kosovar.
Por, në këtë verë klubi futbollistik nga Suhareka, Ballkani, do të debutojë në kompeticionin më të rëndësishëm të futbollit evropian, atë të Ligës së Kampionëve.
Portokallinjtë tashmë e kanë marrë primatin në elitën e futbollit kosovar, e cila katër-pesë vjet më parë zhvillohej pa Ballkanin, shkruan Gazeta Express.
Klubi i themeluar në vitin 1947 nuk bënte pjesë në mesin e klubeve më të mëdha të Kosovës, të cilat vlerësohen të “mëdha” mbi bazën e historisë, sukseseve dhe traditës futbollistike, siç janë: Prishtina, Trepça, Besa, Liria, Vëllaznimi, Drita, Gjilani, Trepça ’89, Kosova e Vushtrrisë, Llapi apo edhe Feronikeli.
Klubi nga Theranda u inkuadrua në Superligë në edicionin 2018/2019. Fillimisht kishte luftuar për mbijetesë dhe mezi i kishte shpëtuar barazhit, por menjëherë pastaj kishte filluar ngritjen dhe në dy edicione tjera ishte kandidat për titull të kampionit, por që në fund kishte përfunduar dy herë në pozitën e tretë. Shumëkush konsideronte se Ballkani që e kishte humbur luftën për titull e meritonte trofeun e çmueshëm. Kishte nga ata që Ballkanin e konsideronin edhe “viktimë” të anomalive negative të futbollit kosovar.
Por, klubi arriti ta menaxhojë dëshpërimin dhe në tentativën e tretë, ia doli – u shpall kampion i Kosovës për herë të parë në histori të klubit. Të dielën Suhareka pati festë të madhe pasi atje shkoi trofeu kryesor i futbollit kosovar, të cilin portokallinjtë e kishin siguruar matematikisht tri javë para përfundimit të garës.
Mirëpo, kjo festë nuk do të zgjasë shumë pasi Ballkani do të fillojë përgatitjen për pjesëmarrje në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ku do ta përfaqësojë vendin tonë, aty ku më herët kishin garuar Trepça ’89, Feronikeli, Drita e Prishtina, raporton Gazeta Express.
Suksesit të rrugëtimit nga Liga e Parë e Kosovës deri në kompeticionit të Ligës së Kampionëve prapa i qëndrojnë futbollistët “luanë”, me të cilët gjatë këtyre viteve punuan disa trajnerë, si: Bekim Shotani, Sami Sermaxhaj, Gani Sejdiu, Ismet Munishi, Bekim Isufi dhe së fundmi Ilir Daja, me të cilin Ballkani edhe do ta nisë aventurën magjike evropiane.
Por, një gjë është e sigurt – Ballkani nuk do të mund ta arrinte këtë nivel pa stabilitetin financiare që e kishte gjatë këtyre viteve, e të cilin ia kishte siguruar në vazhdimësi biznesmeni i njohur që e mban edhe postin e kryetarit të Ballkanit, Arsim Kabashi.
Investimet e mëdha dhe të vazhdueshme të tij bënë që tifozët besnikë të klubit nga Suhareka, “Xhebrailat”, ta shijojnë në realitet ëndrrën – Ballkani Kampion, Ballkani në Champions, me ç’rast ky klub do ta arkëtoj edhe një shumë të konsiderueshme parash. /GazetaExpress/