Ajo ka thënë se gërmimet e nisura ditë më parë në fshatin Shtaval të Serbisë duhet të trajtohen me seriozitet nga politikanët shqiptarë e serb. Kështu ka vlerësuar aktivistja e të drejtave të njeriut, Natasha Kandiq.
“Klima politike si në Serbi ashtu edhe në Kosovë do të duhej të ndryshonte – që politikanët të nisin një fushatë pozitive – që njerëzit e thjeshtë të shohin se presidenti i Serbisë dhe kryeministri i Kosovës po flasin me mirësjellje dhe janë të përkushtuar për zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve. Presidenti i Serbisë ka premtuar një rrugë më intensive drejt BE-së – nuk ekziston pa marrëdhënie të mira me Kosovën. Nëse Kosova bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, është shenjë e mirë për zgjidhjen e fatit të të pagjeturve”, ka thënë Kandiq.
Tutje Kandiq thotë që familjet e të zhdukurve presin që familjet shqiptare dhe serbe të zbulojnë të dhëna dhe informacione për varrezat masive vetëm se ajo thekson se në muajt në vijim do tregohet se sa ka seriozitet politik në këtë pikë.
Më tej Kandiq për Tëvë thotë se dyshon që ka trupa të të zhdukurve që mund të jenë djegur.
“Personalisht vlerësoj se ka varreza masive, por kam frikë se numri përkatës i mbetjeve mortore është shkatërruar me djegie nëpër shtëpi, ende është e paqartë nëse ka pasur djegie në Feronikel dhe Obiliq në Kosovë, dhe Mackatica dhe Bor në Serbi. Këto janë sekrete politike që mbrojnë disa oficerë të lartë të Serbisë”, tha ajo.
Pikërisht kjo çështje, arkivi po shihet si njëra barrierat në punën e Komisionit qeveritar për të pagjeturit.
Kushtrim Gara nga ky komision vlerëson që informacionet e arkives serbe do mund të shërbenin për gjetjen e të zhdukurve.
Lokacioni i fundit ku u gjetët eshtra të shqiptarëve të vrarë ishte Kizhevaku në Komunën e Rashkës me 16 nëntor të vitit 2020.
Ky ishte lokacioni i pestë në Serbi ku u gjeten trupa të kosovarëve të vrarë në luftën e viteve 98-99. /Gazeta Papirus/