Vizitës së Kryeministrit Albin Kurti në SHBA po i vjen fundi. Të shtunën, ai është lajmëruar nga Shteti i Massachusetssit, në Boston, ku ka vendosur lule te varret e Fan Nolit dhe Faik Konicës.
Në bazë të agjendës, që është publikuar nga Zyra e Kryeministrit, Kurtit i ka mbetur edhe vizita në Nju Jork, por nuk janë bërë të njohura detajet.
Nga kjo vizitë e gjatë, Kurti kthehet i kritikuar për mungesën e realizimit të takimeve me zyrtarë të lartë amerikanë.
Kryesisht, vizitat e tij në shumë shtete të SHBA-së, janë karakterizuar nga takime me mërgatën shqiptare, vizitat në kompanitë e teknologjisë së informacionit dhe takimet me senatorë e kongresistë amerikanë gjatë ditëve të fundit, sa ka qëndruar në Uashington.
Në ditët e fundit të vizitës së tij, Kurti si dhe zyrtarë nga partia e tij, e kanë arsyetuar mungesën e takimeve të larta me pretekstin se qëllimi i tij i vizitës në SHBA, nuk ishte destinuar për këtë qëllim, por për sjelljen e investimeve amerikane në Kosovë.
Po ashtu, është përmendur edhe lufta në Ukrainë si një faktor që ka marrë vëmendjen e shtetit amerikan. Megjithatë, efektet konkrete të vizitës së Kurtit mbeten për t’u zbuluar në të ardhmen.
Nëse asgjë tjetër, siç e zbuloi deputeti i VV-së Armend Muja para pak ditësh, Kurti ka bërë realitet një ëndërr ta kahmotshme të tij për t’i vizituar kompanitë e mëdha të teknologjisë së informacionit në SHBA.