Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qëndruar në Boston të SHBA-së, ku ka vendosur lule të freskëta dhe ka bërë homazhe te varret e dy atdhetarëve, politikanëve e shkrimtarëve shqiptarë, Fan Noli dhe Faik Konica.
Siç njofton Kryeministria, më pas Kurti ka vizituar Katedralen Shën Gjergji, në të cilën ka shërbyer Fan Noli si kryepeshkop dhe bibliotekën ku ruhen librat, dorëshkrimet dhe gjësendet e tjera të tij.
Në katedrale, kryeministri Kurti është takuar me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe përfaqësues të shoqatës shqiptare “Vatra”, një ndër themeluesit e së cilës ishte Fan Noli, në nderim të figurës së të cilit ai ka mbajtur një fjalë rasti. Kryeministri ka thënë se në Katedralen e Shën Gjergjit, Fan Noli mbajti për herë të parë një meshë në gjuhën shqipe në Boston, mbasi ishte dorëzuar prift në mars të vitit 1908, katër vjet para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 1912”, thuhet në komunikatë.
“Ky fakt na i thotë të gjitha. Ende pa e pasur shtetin, shqiptarët ju patën juve, këtu”, citohet të ketë thënë kryeministri Kurti.
Po ashtu, bëhet e ditur se Kurti e e çmoi kontributin e kishës së Shën Gjergjit edhe në krijimin e shtetit të Kosovës.
“Janë pa fund aktivitetet e nisura prej këtej dhe janë mijëra raste të mikpritjes tuaj për shumë nevoja që u paraqitën në dekada, ka thënë kryeministri Kurti. Sipas tij, organizimi për futjen e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, ku Fan Noli ishte delegat, nuk ka qenë më i lehtë se çfarë është sot vështirësia për ta anëtarësuar Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Andaj, nuk është e papritur që sot pothuajse secili e secila e ka në mendje se si ia dolën ata para nesh në mënyrë që të organizohemi sërish edhe ne, ka theksuar ai, teksa ka folur për të arriturat në një vit qeverisje”, thuhet në fund. /GazetaExpress/