Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka vazhduar takimet në SHBA me kongresistë e politikanë të ndryshëm. Ai sot e ka takuar edhe kongresistin amerikan, Mondaire Jones, me të cilin kanë biseduar edhe për sigurinë në rajon pas fillimit të luftës në Ukrainë.
Kurti gjatë takimit ka përsëritur kërkesën e Kosovës që kampi ushtarak në “Bondsteel” të kthehet në bazë të përhershme ushtarake të SHBA-së në Republikën e Kosovës.
“Kryeministri vuri theksin te kërcënimi për sigurinë e Kosovës dhe rajonit që mund t’i vijë nga aleanca ushtarake e Serbisë me Rusinë dhe përsëriti kërkesën që kampi ushtarak “Bondsteel” që ndodhet në Kosovë, të kthehet në bazë të përhershme ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Media të Kryeministrisë, raporton Express.