Edhe Manchester United raportohet se i është bashkuar garës për transferimin e Alessandro Bastonit.
Sipas “FCInter1908”, ka një interesim serioz nga “Djajtë e Kuq” për mbrojtësin italian.
20 herë kampionët e Anglisë thuhet se po presin që të nënshkruajnë me të në afatin kalimtar të verës.
Trajneri i ri i Manchester Unitedit, Erik ten Hag, thuhet se e sheh Bastonin si lojtarin ideal për të përforcuar vijën e mbrojtjes.
Megjithatë, klubi nga Manchesteri do të përballet me një konkurrencë të fortë për transferimin e 23-vjeçarit, pasi për të besohet se interesim ka shprehur edhe Tottenham Hotspuri.
Trajneri i londinezëve, Antonio Conte, ka punuar me Bastonin te Interi më herët dhe thuhet se e dëshiron ribashkimin me të.
Në anën tjetër, “Nerazzurrët” nuk duan ta ndërpresin bashkëpunimin me reprezentuesin e Italisë, nëse nuk marrin ndonjë ofertë prej së paku 60 milionë funtesh.
Alessandro Bastoni ka kontratë të vlefshme me Interin deri më 30 qershor 2024.