Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka thënë se e ka bërë një gabim gjatë deklaratës së tij kur ka thënë se Nazim Bllaca ka vdekur.
Në fund të seancës ai ka thënë se do të sqarohet për këtë deklaratë, por në transmetimin e Dhomave të Specializuara është dëgjuar vetëm një pjesë e fjalisë së tij.
“Bëra një gabim, thashë se Nazim Bllaca ka vdekur…”, ka thënë avokati Emmerson.
Gjatë konferencës së sotme, avokati i Veselit deklaroi se prokuroria vazhdon të mbështetet te një dëshmitar me emrin Nazim Bllaca i cili, sipas tij, ka vdekur.
“Prokuroria vazhdon të mbështetet tek një dëshmitar në rastin që ka të bëjë me Kadri Veselin që është Nazim Bllaca që ka vdekur. Ka informacione që ishte një aset serb, një mjet i shërbimeve të fshehta, mjet i paguar pra i shërbimeve të fshehta serbe”.
Kjo deklaratë e avokatit Emmerson u demantua nga familjarët e Nazim Bllacës, të cilët për Klankosova.tv konfirmuan se Nazim Bllaca është shëndoshë e mirë dhe në mbrojtje ndërkombëtare.
Konferenca e sotme mbi ecurinë e çështjes në rastin e ish-krerëve të UÇK-së është përcjellë me probleme të vazhdueshme teknike.
Transmetimi në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara ka filluar me një orë vonesë, ndërsa i njëjti ka pasur shkëputje të fjalive vazhdimisht.
Seancat në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë transmetohen përmes një linku të veçantë të gjykatës 45 minuta më vonë, sesa fillimi i seancës në sallën e gjyqit