Moska do t’i përgjigjet me baza të reja ushtarake zgjerimit të NATO-s. Në një fjalim para komandantëve ushtarakë ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu tha se vendimi i Finlandës dhe Suedisë për t’iu bashkuar NATO-s rriste kërcënimin ushtarak pranë kufijve perëndimor të Rusisë, dhe Moska do të ndërmerrte masat e nevojshme.
Ai pohoi se Rusia do të përgjigjej me krijimin e 12 njësive dhe divizioneve në kufijtë perëndimore, dhe po punonte për të përmirësuar fuqinë luftarake të trupave të saj.
“Tensionet vijojnë të rriten në zonën e përgjegjësisë së Njësisë Ushtarake Perëndimore. Ne po marrim masat e nevojshme. Në kushte të tilla po përmirësojmë në mënyrë aktive pozicionet luftarake të trupave. Deri në fund të vitit 12 njësi ushtarake do të formohen në këtë zonë”, tha ai.
Shoigu shtoi më tej se Rusia dhe separatistët pro rusë do të merrnin shpejt kontrollin e plotë të rajonit të Luhansk në Ukrainën lindore. “Forcat e armatosura ruse bashkë më njësite e Milicisë popullore të republikave të Luhansk dhe Donetsk vazhdojnë të zgjerojnë kontrollin në territoret e Donbas. Çlirimi i Luhansk është drejt përfundimit. Forcat e armatosura të Ukrainës, të cilat po përpiqen të vonojnë avancimin e trupave ruse po pengojnë largimin e banorëve dhe po i përdorin si mburoja njerëzore”.