Ministria e Mbrojtjes, në krye me Armend Mehajn, ka shpallur tender për furnizim me uniforma për kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Për këto uniforma, Ministria ka planifikuar të shpenzojë rreth 70 mijë euro.
“Lënda e kontratës ka të bëjë me furnizimin me uniforma për kadetë, me qellim realizimin e aktiviteteve ditore dhe shkollimin e kadetëve sipas standardeve të kërkuara”, thuhet në njoftimin për kontratë të publikuar në e-prokurim.
Saktësisht, kompania që do ta fitojë këtë tender duhet t’i furnizojë kadetët e FSK’së me: pallto dimri, kapela me vija dhe pa vija, xhaketa vjeshtore, xhempera, dorëza dimri, shall, rripa të pantaollonave, pantallona, këpucë vere, këpucë dimri, këmisha vere, grada metalike, emra me pllaka plastike, emra për xhaketë, shenja krahu “Kosova”, numra të klasës (gjeneratës) dhe çanta dore/krahu..
Për kompaninë, Ministria ka vënë edhe një sqarim plotësues dhe të detyrushëm, lidhur me produktet që do të furnizohet.
Ndër të tjera, ka kërkuar që produktetet të jenë të kualitetit të lartë dhe në përputhje të plotë dhe normat dhe standardet evropiane dhe të Kosovës, si dhe që të kenë garancion së paku një vjet.
Kompanitë e interesuara për ta furnizuar Ministrinë me këto uniforma, kanë afat që të dorëzojnë ofertat deri më 13 qershor, në orën 14:00, kur edhe do të bëhet hapja e tenderëve.
“Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues, në bazë të nenit 108/A të Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092ne adresën e specifikuar ne Nenin I te këtij Njoftimi për kontratë”, thuhet në njoftimin për kontratë.