Gjykata e Apelit e ka aprovuar si të bazuar ankesën e Komunës së Obiliqit, të bërë më 12 prill ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Ankesa lidhej me pagesën me një çmim më të lirë të energjisë elektrike për qytetarët e Obiliqit.
Ndërsa, aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë anulohet dhe çështja i kthehet të njëjtës gjykatës në rigjykim dhe rivendosje, raporton Paparaci.
Aktvendimi i cili është marrë më 13 maj, e ka siguruar Paparaci. Sipas arsyetimit, Komuna e Obiliqit ka kërkuar që të shtyhet ekzekutimi i vendimit të ZRRE-së në Prishtinë, i datës 8 shkurt të këtij viti, deri në përfundim të procedurës gjyqësore sipas padisë së ushtruar në Gjykatë, lidhur me këtë çështje, si e pabazuar.
Gjykata ka vërejtur se në rastin konkret, paditësi me propozim ka kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit kontestues të paditurës ZRRE, të 8 shkurtit 2022, me të cilën ka vendosur që të “aprovohen tarifat me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët me të drejtë të furnizimit me Shërbim Universal, që do të mblidhen nga 8 shkurti deri në shqyrtimin e ardhshëm tarifor”.
“Gjykata e shkallës së parë me aktvendimin e ankimuar, e ka refuzuar kërkesën e paditësit-propozuesit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit kontestues të 8 shkurtit, me arsyetimin se paditësi nga provat të cilat gjenden, nuk e ka bërë të besueshme me asnjë provë pretendimin e tij”, thuhet në vendimin e Apelit.