Policia e Kosovës ka ofruar shpërblim prej 5000 euro për cilindo që jep informacion lidhur me lokalizimin e tre personave që dyshohet se kanë kryer vjedhje në rajonin e Prishtinës, njofton Klan Kosova.
Kastriot Shala, Ridvan Ademi dhe Leutrim Latifi, siç njofton Policia, konsiderohen si persona me rrezikshmëri të lartë dhe aktualisht gjenden në arrati në përpjekje për t’iu shmangur arrestimit.
“Megjithatë për lokalizimin sa më të shpejt të kryerësve të këtyre veprave penale , Policia kërkon ndihmën e qytetarëve, që mund të kenë informacion për vendndodhjen e tyre dhe për këtë ofron shpërblim 5.000 (pesëmijë) euro.
Kjo kërkesë është bërë në konsultimit dhe koordinimit me Prokurorin e rastit dhe Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, pasi që të njëjtit këta persona të dyshuar, konsiderohen me rrezikshmëri të lartë dhe aktualisht gjenden në arrati”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Për ta ndihmuar lokalizimin e vendndodhjes së tyre si dhe për ta mundësuar kapjen e tyre policia kërkon bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve. Çdokush që ka informacion për ta, t’ia kalojë ato policisë përmes linjave emergjente 192 ose në info@kosovopolice.com.
Policia e Kosovës për qytetarët që ofrojnë informacion, do të garantoj konfidencë të plotë.
Emrat dhe fotografitë e të dyshuarve janë në vijim:
– Kastriot (Xhevat) Shala i lindur me datë 30.07.1995, me banim në fshatin Trudë të Prishtinës.
– Leutrim (Rrahman) Latifi i lindur me datë 27.08.1992 me banim rruga Vushtrrisë nr; 64 Prishtine.
– Ridvan (Rexhep) Ademi i lindur me datë 11.08.1989 me banim në fshatin Dobratin të Podujevës.