Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar kongresistin Bill Keating, i cili është anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme në Kongresin amerikan dhe i Komitetit për Shërbimin e Armatosur.
Në takim, i pari i ekzekutivit citohet të ketë thënë nga Zyra e Kryeministrit se rritja e përkrahjes dhe e buxhetit për FSK-në është ndër prioritetet e qeverisë, teksa shtoi se përkrahja për Forcën e Sigurisë së Kosovës është e domosdoshme në mënyrë që vendi të ketë ushtri të mirëtrajnuar e të pajisur sipas standardeve të ushtrive moderne të vendeve të NATO-s.
“Vitin e kaluar kishim 330 ushtarë të ushtrisë sonë që morën pjesë në Defender Europe 21, që ishte ndërmarrja më e madhe ushtarake e NATO-s në Evropë, ndërsa FSK-ja u bë pjesë e misionit paqeruajtës të ushtrisë amerikane në Kuvajt”, është shprehur Kurti, thuhet në komunikatën e kryeministrisë.
Më tej, thuhet se Kurti ka vlerësuar kontributin e madh që ShBA-të kanë dhënë për ngritjen e kapaciteteve të FSK-së teksa shprehu përkushtimin për forcimin e mëtejmë të partneritetit strategjik dhe të bashkëpunimit me ShBA-në.
Në takim, Kurti ka folur edhe për të arriturat, që sipas tij, qeveria i ka bërë në këtë 1 vit qeverisje, ku përmendi reformat në fushën e sundimit të ligjit, angazhimin kundër krimit dhe korrupsion që sipas tij, kanë ndikuar në ngritjen e 17 vendeve të pozitës së Kosovës në indeksin global të Transparency International./Lajmi.net/