Tarifat e vjetra të energjisë elektrike pritet të rikthehen sërish, pasi Gjykata e Apelit e Kosovës e ka vërtetuar sot një vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë që pezullonte vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), për tarifat e reja, që kishin filluar të aplikohen nga 9 shkurti i këtij viti.
E lidhur me këtë vendim të Apelit ka reaguar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili nëpërmjet një postimi në Facebook, ka kërkuar që qytetarëve t’u kthehen paratë që ata kanë paguar në faturat e fundit të energjisë me tarifat e shtrenjta.
“Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit që e pezullon vendimin e ZRrE për shtrenjtimit e rrymës, e justifikon kundërshtimin tonë të vazhdueshëm ndaj shtrenjtimit. Me të drejtë e kemi vlerësuar që qytetarët po vidhen, e sot jemi të lumtur që gjykata vihet në shërbim të mbrojtjes së interesit publik. Presim që qeveria të marrë vendim të shpejtë që paratë që iu morën qytetarëve përmes faturave të fryera, t’u kthehen pa vonesë!”, ka shkruar Haradinaj.
Me tarifat e shtrenjta, qytetarët që haroxhojnë mbi 800 kilovatë paguajnë 12.5 centë për kilovat, ndërsa gjatë tarifave të ulëta 5.9 centë. Ndërkaq, ata që nuk konsumojnë më shumë se 800 kilovatë, çmimi i rrymës nuk ka ndryshuar; pra, ata vazhdojnë të paguajnë 7 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta dhe 3 centë gjatë tarifave të lira, kjo falë subvencionimit të Qeverisë.