Pas dhënies së vendimit të sotëm në gjykimin kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj, Prokurori i Specializuar, Jack Smith, shprehu angazhimin e tij për të hetuar dhe ndjekur penalisht me vigjilencë të gjitha rastet e frikësimit të dëshmitarëve, hakmarrjes ndaj dëshmitarëve dhe pengimit të drejtësisë.
Ai deklaroi se sot është vendosur drejtësi.
“Z. Gucati dhe Z. Haradinaj janë shpallur fajtorë për krimet e tyre, pas një gjykimi transparent, të kujdesshëm dhe të drejtë të këtij rasti të rëndësishëm”, tha Prokurori i Specializuar.
“Ashtu siҫ u deklarua sot nga Trupi Gjykues, mbrojtja e dëshmitarëve nga frikësimi dhe lëndimi qëndron në themel të ҫdo sistemi të drejtësisë penale – aktet dhe sjellja e të akuzuarve iu kundërvunë pikërisht këtij themeli”, thuhet në një komunikatë për media nga ZPS-së.
Sipas Smith, aktet dhe deklaratat në këtë lëndë kanë ndodhur në një klimë frikësimi, “siҫ ishin gjetjet e gjykatësve sot”.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar do të vazhdojë fuqishëm hetimet dhe ndjekjen penale të të gjitha akteve të frikësimit të dëshmitarëve, hakmarrjes ndaj dëshmitarëve ose pengimit të drejtësisë. Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë mundësinë unike që të japin drejtësi për viktimat sepse ato janë një vend i sigurt ku dëshmitarët mund të flasin hapur për krimet që kanë parë dhe pësuar përpara më shumë se 20 viteve”, thuhet në kumtesë.
“Frikësimi apo hakmarrja ndaj këtyre viktimave është, sipas mendimit tim, krim shumë i rëndë që godet në zemër aftësinë e këtij institucioni për të dhënë drejtësi dhe sundimin e ligjit. Nëse përpiqeni të frikësoni apo të hakmerreni ndaj dëshmitarëve të kësaj gjykate, unë do të bëj gjithҫka që është në pushtetin tim dhe të sigurohem që ju të dilni përpara drejtësisë.” /Gazeta Papirus/