Krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj po shpresojnë që Gjykata e Apelit në Hagë të marrë tjetër vendim ndaj tyre, pas dënimit që e morën sot me nga 4 vjet e gjysmë burgim.
Musli Gucati, djali i Hysni Gucatit në një lidhje direkte në Frontal të T7 tha se i takoi të dytë pas shpalljes së aktgjykimit dhe se ata “ishin mirë”.
“Pata mundësinë t’i takojë të dytë në qendrën e paraburgimit më parë. Të dytë ishin mirë, më thanë se e kishin pritur një vendim të tillë dhe po shpresojnë që në shkallën e Apelit të zvogëlohet dënimi ose të kthehet prapa ky vendim, apo të përmbyset”, tha ai.
Djalit të Gucatit i ka penguar më së shumti një fjali e shqiptuar nga kryetari i trupit gjykues gjatë shpalljes së aktgjykimit: “Në emër të popullit të Kosovës…”.
“Mendoj që kjo ka qenë më e vështira”, tha ai. “T’i dënosh njerëzit më meritor për lirinë në emër të popullit… kjo ka qenë pjesa më e vështirë”.
Musli Gucati, i cili ishte i pranishëm kur u shpall aktgjykimi, tha se Gucati e Haradinaj ishin “me disponim të njëjtë si para si pas vendimit”.