Shtëpitë private vazhdimisht janë në shënjestrën e hajnave për t’i vjedhur. E një vjedhje e rëndë është raportuar sot në fshatin Banjë të Istogut, ku i zoti i një shtëpie lajmëroi Policinë pasi në konak i kishin shkuar mysafirë të paftuar që i shkaktuan dëme shumë të mëdha.
Sinjali mëson se të dyshuarit kishin arritur që të depërtojnë brenda shtëpisë, pasi kishin hyrë me forcë përmes derës së hyrjes kryesore.
Posa kishin hyrë brenda hapësirave të shtëpisë, ata kishin filluar ‘gjuetinë’ e tyre për të kapur gjëra me vlerë që do t’u hynin në punë.
Sipas deklaratës së viktimës, në shtëpi i janë vjedhur një pistoletë bashkë me lejen përkatëse, ari në vlerë rreth 7 mijë euro, 3 mijë e 700 euro para të gatshme, llaptop dhe tre telefona.
77-vjeçari e lajmëroi menjëherë rastin në Polici, duke shpresuar se shpejt do të arrihet që të zbardhet rasti, e gjërat që hajnat i morën, do t’i kthehen në pronësi.
Njësitet policore janë vënë në lëvizje për t’u rënë në gjurmë hajnave, por që të njëjtit ende nuk janë identifikuar dhe nuk kanë arritur që t’i prangosin.
Me urdhër të prokurorit, nga Policia është hapur rast ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen personat e dyshuar. /Gazeta Papirus/