Tri janë kushtet që mund t’i kërkohen Kosovës gjatë vlerësimit të aplikacionit, pasi një komision përkatës të ketë zbarkuar për vlerësimin e gjendjes në terren. Sipas njohësve të kësaj organizate, prej Kosovës do të kërkohet zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, e edhe atij për themelimin e asociacionit. Problematike e shohin edhe refuzimin për ta votuar në Kuvend draftin e Kodit Civil që përmban dispozitën e cila lejon bashkëjetesën mes personave të gjinisë së njëjtë.
Demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë tri vlerat mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës. Megjithëse Kosova qëndron mirë sa i përket Kushtetutës dhe miratimit të legjislacionit, njohës të kësaj organizate kanë përmendur tri kushte themelore që do t’i kërkohen Kosovës.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se çdo shtet që është pranuar në Këshill të Evropës, pa përjashtim, është dashur t’i përmbushë kriteret që i janë vënë sa i përket sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.
“Ta zëmë, Armenide i është vënë kriter dekriminalizimi i komunitetit LGBTI, sepse ka qenë vepër penal, apo edhe heqja e dënimit me vdekje”, ka thënë Hasani. “Unë jam i sigurt që Kosovës në vlerësimin që do ta bëjë Asambleja Parlamentare do ta vërë në agjendë shumë lart si kusht çështjen e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit dhe themelimin e Asociacionit si detyrim kushtetues ndërkombëtar. Unë besoj që shqetësim i Asamblesë do të jetë sjellja ndaj kodit civil sa i përket komunitetit LGBTI+. Këto janë të drejtat e njeriut, përbërësit themelorë të sundimit të ligjit, nëse e kemi parasysh atë listën që e ka bërë Komisioni i Venecias”, raporton KTV.
Ai ka thënë se Këshilli i Evropës u përmbahet me përpikëri ekspertizave që i bënë Komisioni i Venecias sa u përket të drejtave të njeriut dhe Këshilli i Evropës i merr si të mirëqena.
Pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve, vendimi i Kushtetueses që ia njeh Manastirit të Deçanit pronësinë mbi 22 hektarë, nuk është zbatuar ende. Sa i përket asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kushtetuesja pati gjetur shkelje në të shtatë kapitujt e marrëveshjes së vitit 2015. Por ka kërkuar që çështja të kthehet te marrëveshja e vitit 2013, duke e bërë asociacionin pjesë të sistemit juridik të Kosovës. Qeveria aktuale që përbëhet nga partia e cila kishte kundërshtuar Asociacionin, nuk ka dhënë sinjale se do ta implementojë marrëveshjen për këtë mekanizëm ombrellë për komunat me shumicë serbe.
Këshilli i Evropës ka 46 shtete anëtare. Për pranim është e domosdoshme mbështetja nga dy të tretat e tyre. Shpresat e Kosovës për pranim janë shtuar pas përjashtimit të Rusisë nga ky Këshill.
Në kuadër të Këshillit vepron Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, së cilës mund t’i drejtohen qytetarët pasi t’i kenë shteruar mjetet juridike në nivel kombëtar.
Neni 35 i Konventës së Gjykatës së Strasburgut përcakton se faktet kundër të cilave është paraqitur ankesë, duhet të kenë ndodhur pas datës së hyrjes në fuqi të Konventës në shtetin e paditur. Por, ka përjashtim në disa raste.
“Kërkesa juaj mund të pranohet nëse ka të bëjë me një gjendje të vazhdueshme që ka filluar para ratifikimit dhe ka vazhduar pas asaj date; p.sh. Gjykata u shpreh se kishte juridiksion për të vendosur mbi zhdukjen e personave që kishte ndodhur rreth trembëdhjetë vjet përpara se shteti i paditur të kishte njohur të drejtën e individëve për të paraqitur kërkesa individuale në Gjykatë”, thotë neni 35 i Konventës.
Por, Hasani që ka punuar disa vjet në Këshillin e Evropës për llogari të Shqipërisë, thotë se ka raste kur anëtarësimi mund të ketë efekt retroaktiv. Sipas tij, për Kosovën pikë reference mund të jetë viti 2008.
“Ka pasur raste të caktuara kur për disa vende kanë pasur efekt retroaktiv për një fazë të caktuar, jo të gjithë sepse po të ishte kështu në vendet komuniste prej viteve të 50-ta ka pasur raste, shumë raste për trajtim. Pra duhet të jetë një vijë prerëse. Unë besoj që Kosovës do t’i jepet afat prej ditës kur është shpallur pavarësia në vitin 2008. Kjo sepse ne e kemi zbatuar konventën dhe të gjitha kriteret që dalin. Por zbatimi ka qenë sikur të realizohet ‘make up’ pa pasqyre, sepse nuk kemi pasur një pikë referimi, organ që i kontrollon vendimet tona, kështu që tash pranimi në Këshillin e Evropës është lajm i mirë sepse e disiplinon gjyqësorin, Gjykatën Kushtetuese, rrit standardet profesionale”, ka theksuar Hasani.
Ai ka shprehur bindjen se qytetarët e Kosovës do të fitojnë shuma kolosale, pasi, siç ka thënë, disa vendime janë bërë në mënyrë shumë joprofesionale, e që do të kenë një reperkusion financiar.
Kosova e ka deponuar më 12 maj aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës. E Hasani ka shprehur pritjen që epilogu të jetë pozitiv, meqë ka thënë të jetë krijuar një klimë tjetër.
“Jo për shkak të largimit të Rusisë, por për shkak se ajo e ka përjashtuar vetveten nga çdo politikë e sigurisë në Evropë dhe po paraqitet si rival ekzistencial i perëndimit. Për pasojë, nuk mund të ketë kurrfarë ndikimi në strukturat evropiane dhe politikat evropiane”, ka thënë ai.
Mbështetje të menjëhershme pas aplikimit, Kosovës i ka ofruar Gjermania. Por, sipas Hasani, rol thelbësor ka edhe Franca.
“Roli i Francës është kryesor, pasi ky shtet bashkë me Gjermaninë janë ikona të Evropës së sotshme. Nga qëndrimi i saj varet shumëçka, sepse nga aspekti nominal, pra arritja e 31 votave, besoj se nuk është problem të arrihen në Komitetin e Ministrave pas vlerësimit që bën Asambleja Parlamentare”, ka thënë Hasani.
Aplikim i Kosovës nxiti reagimin e Serbisë, e cila paralajmëroi intensifikim të fushatës për ta penguar anëtarësimin, por edhe anulimin e njohjeve.