Pas gati 600 ditësh qëndrimi në qendrën e paraburgimit në Hagë të Holandës, dy drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, do të mësojnë më 18 maj vendimin për ta, të marrë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura ndryshe si Gjykata Speciale.
Gucati dhe Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Si Gucati, ashtu edhe Haradinaj, mund të dënohen me nga gjashtë vjet burgim, në rast se gjykata bindet me propozimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), e cila, pos dënimit me burgim prej gjashtë vjetësh, ka propozuar edhe një gjobë simbolike prej 100 eurosh për gjithsecilin.
Nga koha e arrestimit të Gucatit dhe Haradinajt kanë kaluar gati 20 muaj.
Gjatë tërë procesit të gjykimit, prokuroria ka insistuar se të dy ata, të organizuar, kanë synuar të dëmtojnë reputacionin e Gjykatës Speciale, si dhe të pengojnë punën e saj.
“Ata i kryen krimet, sepse donin të pengonin punën e kësaj gjykate, të frikësonin dhe të merrnin hak kundër dëshmitarëve”, ka thënë prokurori i rastit, James Pacen, në fjalën e tij përfundimtare, derisa ka arsyetuar propozimin për dënimin e tyre me nga gjashtë vjet burgim.
Gjykata Speciale dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar me vendim të Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit 2015 dhe mision kanë hetimin e krimeve të pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Gucati dhe Haradinaj janë arrestuar në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media nga selia e OVL të UÇK-së kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Gjykatës Speciale.