Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i është përgjigjur akuzave të kryeministrit Edi Rama, pas thirrjeve të këtij të fundit për të hetuar atë dhe kryeministrin Sali Berishën.
Në një komunikim me gazetarët, kreu i shtetit nënvizoi se Rama kërkon të zhvendos vëmendjen nga aferat korruptive të qeverisë, kur kërkon që SPAK të hetojë presidentin apo Berishën.
“Po për ato qindra milionë euro që ia marrin Shqipërisë investitorë të huaj për shkak të biznesit të arbitrazhit që bëjnë këta. Do hetojë Saliun ai për non grata? Në bazë të dhënave të OJQ-ve, të Ramës dhe Sorrosit, ju e dini sesi funksionojnë mediat, i kemi edhe të agjencisë së Edi Ramës. Kush i ka penguar të hetojnë Saliun? Kush e pengoi SPAK-un të hetojë Ilirin? Këto bëhen që të spostohet vëmendja dhe ky [Edi Rama] të mos rrijë më i dyti në botë por duhet të takojë i pari [për korrupsion]”, u shpreh Meta.
Kujtojmë se javët e fundit kryeministrit Edi Rama ka kërkuar që Prokuroria e Posaçme SPAK të hetojë Berishën dhe Metën. Ai është shprehur se e gjithë Shqipëria mezi pret që të shikojë Ilir Metën para SPAK-ut.
Në vazhdim të fjalës së tij sot, Meta u përgjigj edhe për shkrimin e gazetës austriake “Kronen Zeitung” që e akuzon se ka paguar 700 mijë dollarë për një foto me presidentin amerikan Donald Trump ditën e betimit të tij si president.