Kompania e Kërkim-Shpëtimit e Regjimentit të Mbrojtjes Civile është duke ndjekur trajnimin “Alpinizëm Ushtarak” i udhëhequr nga ekipi mobil i instruktorëve të shkollës verore të Italisë.
Kështu është bërë e ditur nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, përmes një postimi në llogarinë zyrtare në Facebook.
Trajnimi bëhet e ditur se është duke u realizuar në Kazermën “Evropianët e rinj” në Pomozotin dhe në lokacione të ndryshme, që u ofrojnë mundësi pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës që të mësojnë teknika për kalimin e zonave malore me shkëmbinjtë, ngjitje në sipërfaqe shkëmbore dhe lëshimin me litarë nga lartësitë e ndryshme.
“Për të parë nga afër realizimin e këtij trajnimi, sot, tek vendi i quajtur Guri i Plakës, qëndruan për vizitë zëvendës ministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Shemsi Syla, zëvendës komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral major Enver Cikaqi, Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, zëvendës komandanti i KFOR-it, Gjeneral brigade, Luca Piperni, zëvendës komandanti i Gardës Kombëtare, kolonel Shaip Haziri si dhe oficerë të lartë të FSK-së dhe përfaqësues të Ambasadës italiane dhe KFOR-it”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje thuhet se qëllimi i trajnimit është që pjesëtarët e FSK-së të ngritin kapacitetet profesionale, duke përfituar nga përvoja e ekspertëve italianë në këtë fushë, në mënyrë që të jenë sa më të përgatitur në përballje me fatkeqësi malore, duke ju përshtatur vendit, kohës dhe kushteve atmosferike.