Zvicra, me statusin e saj të proklamuar si neutral është gati të përballet me sprovën e saj më të madhe në dekada, me Ministrinë e Mbrojtjes që është “duke iu afruar gjithnjë e më shumë” fuqive ushtarake perëndimore në përgjigje të agresionit rus në Ukrainë.
Madje, Ministria e Mbrojtjes po harton një raport mbi opsionet e sigurisë që përfshijnë stërvitje të përbashkëta ushtarake me vendet e NATO-s dhe municione “mbështetëse”, ka thënë për Reuters, Paelvi Pulli, kreu i politikës së sigurisë në Ministrinë zvicerane të Mbrojtjes.
Sidoqoftë, detajet e opsioneve të politikave që po diskutohen në qeveri nuk janë raportuar më parë, thuhet në një analizë të publikuar në Reuters, përcjell Telegrafi.
Në këtë drejtim, “përfundimisht, mund të ketë ndryshime në mënyrën se si interpretohet neutraliteti”, citohet të ketë thënë Pulli në një intervistë ditë më parë.
Në një udhëtim në Uashington së fundmi, ministrja e Mbrojtjes, Viola Amherd, tha se Zvicra duhet të punojë më ngushtë me aleancën ushtarake të udhëhequr nga SHBA, por jo t’i bashkohet asaj, raportuan mediat zvicerane.
Neutraliteti, i cili e mbajti Zvicrën jashtë dy luftërave botërore gjatë shekullit të 20-të, nuk ishte një objektiv në vetvete, por synonte të rriste sigurinë zvicerane, ka shtuar Pulli.
Opsionet e tjera përfshijnë takime të nivelit të lartë dhe të rregullt midis komandantëve dhe politikanëve zviceranë dhe NATO-s, tha ajo