Konsumimi i drogës dhe mbajtja e armëve pa leje është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre dhe cenuar sigurinë e qytetarëve, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është zbuluar edhe mbrëmë në mesnatë, te ‘Rrethi i Flamurit’, në Prishtinë, ku gjatë patrullimit në një pikë kontrolli, Policia ka ndaluar një veturë, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.
Gjatë kontrollimit të veturës dhe të të dyshuarit 23-vjeçar G.Z., zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar nga i riu një sasi të dyshuar narkotike.
Për shkak të posedimit narkotikëve, i riu bashkë me shokët e tij që ndodheshin në makinë, u shoqëruar në stacion policor, për t’u intervistuar nga hetuesit policorë.
Pas marrjes së deklaratave nga të gjitha palët, prokurori kujdestar ka dhënë urdhër që ndaj të riut të iniciohet rasti “Posedim i paautorizuar të substancave narkotike, psikotrope ose analoge”.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit./GazetaSinjali