Sipas Avdullah Hotit, shefit të grupit Parlamentar të LDK’së Ramiz Kelmendi do ta votojë Demarkacionin në seancën e sotme që pritet të mbahet në ora 16:00. Ani pse, mbrëmë në emisonin e “DPT Te Fidani” në TV 7, ai tha se nuk do të jetë as në seancë e as nuk do ta japë votën e tij. Por, Hoti, e thekson për Express se edhe Kelmendi dhe të gjithë deputetët tjerë të partisë së tyre do ta votojnë marrëveshjen.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi, tha se nuk do të votojë sot, në Kuvendin e Kosovës, për Projektligjin për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Ky veprim i tij, vjen pas kërcënimeve që Kelmendi thotë se ia kanë bërë atij dhe familjes së tij.
Këtë qëndrim ai e mban pavarësisht telefonatat që i kanë bërë zyrtarët e partisë Hoti dhe vetë Isa Mustafa nga Gjermania.
Kelmendi ka bërë të ditur se në seancën e Kuvendit, më 20 mars, për Demarkacionin, ai nuk do të marrë pjesë.
“Nuk do të marr pjesë në seancën e nesërme, për arsye shëndetësore”, ka thënë Kelmendi, në emisionin “DPT Te Fidani”, në televizionin T7.
Por, ndryshe thotë zyrtari i lartë i partisë së Isa Mustafës Avdullah Hoti. Ai për Gazetën Express tha se të gjithë deputetët e LDK’së e mbështesin këtë marrëveshje.
Ky qëndrim, siç sqaron Hoti, ka kohë që është marrë në LDK dhe ne Grup parlamentar ku ka qenë pjesë edhe Ramiz Kelmendi
“Siçka deklaruar ai vetë, ai ka pranuar kërcënime të cilat nuk do të duhej të ndodhnin”, tha Hoti për Express.
Ky i fundit i pyetur nga Express nëse pas deklaratës së mbrëmshme në TV7 ka biseduar me Ramiz Kelmendin, Hoti tha se është në kontakt të vazhdueshëm me atë dhe të gjithë deputetët. E ritheksoi edhe njëherë se Kelmendi do ta votojë sot Demarkacionin.
Kelmendi mbrëmë foli edhe për bisedën që e kishte zhvilluar me Isa Mustafën dhe Avdullah Hotin pikërisht për këtë çështje. Ai tha se u ka kërkuar atyre siguri për familjen të cilën ia kanë kërcënuar.
Kelmendi shtoi se Avdullah Hoti nuk është konsultuar paraprakisht me të kur e ka bërë publike qëndrimin e gjithë deputetëve të LDK’së për Demarkacionin.
“Unë nuk mund të them asgjë njëherë për arsye se edhe gjatë bisedave që kam pas sot dhe gjatë mbrëmjes me Mustafën dhe Hotin. Zotit Hoti ja kam bo me dije pasi jom kthy prej trajtimit mjekësor jashtë i kom tregu që konsultime me mu nuk ka ekzistu për këtë temë dhe nuk është mirë me fol për mua pa më konsultu mua. Jo nuk më ka konsultu, sot jam dëgju me Hotin pasi ka dalë statusi. Nuk e ka kuptu seriozisht qëndrimin tim. Qëndrimi im ishte se i thash edhe Hotit edhe Mustafës si unë të dalin tu thon fëmijëve të mi sa janë të sigurt fëmijët e mi që kanë qenë të kërcënuar me dalë dhe me jetu jetën e vet publike nëse unë e votoj demarkacionin”, ka shtuar ai.
Seanca për marrëveshjen me kufirin është paraparë të mbahet sot nga ora 16:00./GazetaExpress