Në një njoftim për media, theksohet se Bislimi ka diskutuar me Sarrazin edhe për dialogun me Serbinë, duke thënë se marrëveshja nuk është arritur pasi pala serbe nuk ka shprehur gatishmëri.
“Më tej, zëvendëskryeministri Bislimi njoftoi Emisarin Sarrazin për përkushtimin e Kosovës në dialogun me Serbinë. Përsa i përket raundit të fundit të bisedimeve, Kosova ka qenë e përkushtuar të arrihet një marrëveshje permanente për çështjen e targave të veturave, duke i respektuar praktikat dhe standardet më të mira të Bashkimit Evropian. Marrëveshja nuk është arritur për shkak të mungesës së vullnetit dhe propozimit konkret nga pala tjetër, që reflektoi interesimin e tyre për të bllokuar arritjen e kësaj marrëveshje dhe respektimin e marrëveshjes së Brukselit të 30 shtatorit. Kosova vazhdon të jetë konstruktive, kreative dhe e përkushtuar në këtë proces”, thuhet në njoftim.
“Në përfundim të takimit, zëvendëskryeministri Bislimi shprehu mirënjohje për angazhimin e z. Sarrazin në Ballkanin Perëndimor dhe rolin e rëndësishëm të shtetit të Gjermanisë”, thuhet tutje në njoftim. /Gazeta Papirus/