Pas pranimit të informatës, se persona të dyshuar po shpërndanin drogë afër një lokali në Vushtrri, Policia e Kosovës ka kontaktuar me Gjykatën Themelore të Mitrovicës – Dega Vushtrri, nga të cilët ka pranuar urdhërin verbal që të kontrollohet lokacioni.
Policia ka filluar kontrollin rreth orës 20:30, të natës së kaluar, ku kanë kërkuar nga një person dokument identifikimi, mirëpo i njëjti ka filluar të ikë nga policia.
Por, i dyshuari kishte arritur t’i largohet policisë vetëm për pak çaste, pasiqë i njëjti është arrestuar në shesh të qytetit nga zyrtarët policorë.
Pasi e kanë kapur të dyshuarin, policia ka filluar me kontrollim, ku iu kanë gjetur një cigare e cila e dyshohet të jetë substancë narkotike (marihuanë), një mulli bluarje (grinder), dy qese të mbushura me substancë dhe disa fletëza (rizla) për mbështjelljen e marihuanës.
“Në të njëjtin lokacion, gjatë kontrollit të një personi tjetër, policia ka gjetur në xhepin e tij një sasi municioni prej dhjetë (10) fishekësh të kalibrit 7.62 mm që dyshohet se i përkasin armës AK-47”, thuhet në njoftim të Policisë.
Personi i cili mbante me vete plumba është arrestuar dhe Policia ka realizuar kontroll edhe në vendbanimin e tij.
Policia ka kontrolluar edhe persona tjerë dhe janë gjetur disa thika të vogla mirëpo me udhëzim të prokurorit nuk iniciohen raste.
Të gjitha sendet e gjetura janë konfiskuar dhe do të procedohen si prova materiale.
Personat e dyshuar E.S., 23-vjeçar dhe Sh.P., 21-vjeçar janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve.
Ndaj personit të parë është iniciuar rasti: ,,Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge” ndërsa ndaj personit të dytë është iniciuar rasti: ,,Mbajtje ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”./Sinjali