Partitë opozitare parlamentare po kërkojnë urgjentisht që Qeveria që të fokusohet në dialogun me Serbinë, duke e cilësuar stagnimin e këtij procesi të dëmshëm për vendin.
Madje vlerësojnë se me arritjen e marrëveshjes përfundimtare, pra njohjen e ndërsjellët, Kosova do të kishte mundësi edhe për anëtarësim në institucione të rëndësishme.
Ish-zëvendëskryeministri, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj në një intervistë për Ekonomia Online thotë se njohja e ndërsjellët duhet të jetë tema kyçe e këtij procesi.
“Dialogu është një temë kyçe, i shërben interesit të vendit dhe çdokush që beson që Kosova do të jetë shtet anëtar i OKB-së kjo mund të arrihet vetëm përmes dialogut Kosovë-Serbi. Unë jam i mendimit që dialogu për çështje teknike do të duhej të shndërrohej në një dialog politik dhe temë kryesore duhet të jetë çështja e njohjes së ndërsjellë”.
Megjithatë, deputeti Hoxhaj tha se Serbia synim të dialogut e ka që ta mbajë Kosovën në status-quo, e që këtë stagnim ai po e quan recetë e shkatërrimit për vendin.
Sipas tij, situata politike në Evropë shkon në favor të Kosovë, krejt kjo për t’i bërë presion Serbinë në përmbushjen e qëllimeve që nuk janë përmbushur siç thotë ai që 15 vjet.
“Situata gjeopolitike e re në Evropë është shumë e favorshme që ne të bëjmë presion mbi Serbinë dhe perëndimi të bëjë presion Serbisë që ne të arrijmë disa qëllime të vjetra të cilat nuk i kemi arritur t’i përmbushim në këto 15 vjetët e fundit. Ne e shohim si urgjente, si jetike arritjen e një marrëveshje me Serbinë”.
“Serbia vjen në dialog çdo herë për të mos u marr vesh me ne, për të blerë kohë, për ta mbajtur Kosovën në status-quo. Por status-quo në Kosovë është një çështje, recetë e shkatërrimit. Prandaj është jetike që kjo të ndodhë”, tha Hoxhaj.
Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi thotë se se dialogu për njohje reciproke është kthyer në dialog teknik dhe nuk ka ndonjë hap konkret në këtë proces.
Sipas saj, Qeveria nuk pritet që të përmbyllet tema e dialogut Kosovë-Serbi.
“Prej dialogut që ka qenë në fazën e fundit për njohje reciproke është kthyer në dialog teknik dhe nuk po shohim ndonjë hap konkret karshi dialogut Kosovë-Serbi”.
“Me këtë Qeveri nuk kam shpresë se do ta përmbyllë temën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë sepse është kthyer në dialog teknik dhe atakimet nuk po bëhen të nivelit të lartë dhe nuk pres ndonjë zhvillim në dialogun Kosovë-Serbi”.
Edhe deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri theksoi se dialogu në plotni ka humbur nga konteksti që e synon Kosova, andaj kërkesa e tyre mbetet njohje të ndërsjellë.
“Dialogu në plotni ka humbur nga konteksti që Kosova e synon. Është një dialog i pa substancë. Është një dialog në nivelin teknik dhe një dialog që nuk po sjellë rezultate”.
“Ne kërkojmë që sa më shpejt të jetë e mundur të arrihet marrëveshja finale ligjërisht e obligueshme për dy shtete me njohje reciproke me lidershipin amerikan në mënyrë që kjo çështje të trajtohet. Për AAK-në kjo është e rëndësishme dhe ky është qëndrimi ynë. Ajo që duhet është ta bëjmë punën tonë dhe duhet të ikim nga dialogu teknik dhe të fokusohemi në njohje reciproke”.