Ushtruesi i Detyrës së kryetarit të OVL të UÇK, Faton Klinaku, ka thënë se disa veteranë të UÇK-së janë duke kërkuar protesta, shkaku i Projektligjit për pagën minimale në të cilën nuk janë përfshirë kategoritë e dala nga lufta.
Klinaku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se këto kërkesa është duke i pranuar përmes shkrimeve, kurse ai u është përgjigjur “të rrijnë gati kurdo që ne i thërrasim për protestë”.
“Veteranët që po më shkruajnë e po kërkojnë protesta, iu them që të rrijnë gati kurdo që ne i thërrasim për protestë. Për këtë po bëjmë takime me degë”, ka shkruar Klinaku, transmeton Telegrafi.
“Sa i përket ndryshimit të ligjit që po përpiqet ta bëjë ky koalicion i papërgjegjshëm qeveritar, me anë të të cilit po do që t’i shkëpus pensionet nga lidhja me pagën minimale, ju them veteranëve se nëse rastësisht e bëjnë është vetëm miratimi i leximit të parë, dhe para se ata ta bëjnë leximin e dytë ne duhet që masovikisht të dalim e t’i bllokojmë”, ka thënë ai.
“Për ta penguar këtë papërgjegjësi të këtij koalicioni, ne kemi qenë dhe jemi në kontakt edhe me deputetët e opozitës dhe pozitës, por do të shfrytëzohet edhe gjykata kushtetuese për të konstatuar shkeljet që duan t’i bëjnë, ka shkruar Klinaku./Telegrafi/