Në finalen e nesërme të Eurovizionit në Torino, gjithsej 25 shtete do të luftojnë për të fituar ‘Mikrofonin e kristaltë’, mes të cilëve edhe Belgjika, e cila do të përfaqësohet nga një futbollist profesionist.
Ky shtet ka fituar vetëm një herë në Eurovizion, me këngën “Je t’aime la vie” të Sandra Kim dhe këtë vit do ta provojë sërish me Jeremie Makiese.
Këngëtari, fitues i “The Voice” në Belgjikë vitin e kaluar, kaloi në finalen e madhe të Eurovizionit, e cila është planifikuar të shtunën. Ai ka numrin 16 dhe do të performojë këngën “Miss You”.
Por muzika nuk është hobi i vetëm i këtij artisti 21-vjeçar, pasi Makiese ndërthur karrierën e tij muzikore me futbollin. Konkretisht, portieri i ri së fundi ka nënshkruar kontratë profesionale me skuadrën Excelsior Virton FC, klub ky që është skuadër e kategorisë së dytë belge.
Makiese filloi të luante futboll në moshën 13-vjeçare për BX Brussels. Më vonë ai kaloi nëpër klube si Jeunesse Molenbeek, Royal Wallonia Walhain dhe La Louviere Center.
Me nënshkrimin e kësaj kontrate të re dhe kalimin në finalen e Eurovizionit, gjërat duket se po shkojnë mirë për Makiese dhe ai nuk dëshiron të heqë dorë nga asnjë nga dy pasionet e tij të mëdha tani për tani.
Portieri 21-vjeçar ka shfrytëzuar qëndrimin në Torino për të vizituar stadiumin e klubit më të madh italian Juventus dhe me atë rast ka marrë fanellën me numrin 1.