Partia Socialdemokrate në një komunikatë për media ka thënë se qeveria Kurti është armiqësuar me sindikatat të cilat kërkojnë rritje pagash.
PSD thotë se masat që I ka marrë qeveria karshi situatës me cmime të ngritura janë konservatore, raporton Gazeta Express.
“Jetesa në Kosovë është vështirësuar shumë. Brenda pak muajve të këtij viti çmimet e produkteve janë shtrenjtuar e si rrjedhojë edhe pagave iu ka humbur vlera. Përballë kësaj, reagimi institucional është i vonuar e gabuar. Masat që kjo qeveri ka ndërmarrë përballë krizës janë shtrënguese e konservatore – pikërisht e kundërta e nevojave të shumicës.
Aq e vështirë jetesa sa shpresa mbetet vetëm ikja, nga ky rend, nga këto kushte, nga kjo jetesë e vështirë. Nuk e gjejnë zërin e solidaritetit tek institucionet këtu por tek “tjetri” i largët”, thuhet në komunikatë.
Tutje PSD deklaron se kërkesa e sindikatave është legjitime dhe duhet të miratohen nga qeveria.
“Në saje të papërgjegjësisë institucionale tash e dy ditë kemi greva të sindikatave, asaj të arsimit dhe të KEDS-it. Kërkesat e tyre, pos legjitime, janë të arsyeshme dhe të realizueshme; nga 100 euro rritje për çdo punëtor, kalimi i Ligjit të Pagave dhe zbatimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore. Këto kërkesa po hasin në rezistencë; pritej që qeveria Kurti, si e majtë, natyrshëm t’i ketë aleat sindikatat. Çka sollën në fakt është një rend i ri veprimi, ku dialogu social shkatërrohet e sindikatat natyrshëm armiqësohen. Kështu vepruan kur kaluan ligjin për pagën minimale pa konsultim me kërkesat e sindikatave dhe organizatave të tjera civile; si pak qeveri në botë. Kriza ekonomike po bartet në shpatullat e shumicës që kanë pak, teksa udhëhiqen nga një qeveri që nuk i përfill. Nevojitet ndërhyrje e shpejtë dhe urgjente që pasojat e krizës të zbuten e jetesa të lehtësohet. Prandaj, kërkesat e sindikalistëve duhet të miratohen”, thuhet në komunikatë.