Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, është liruar përkohësisht nga Haga.
Arsyeja e ardhjes së Gucatit në spitalin e Mitrovicës ishte gjendja e rëndë shëndetësore e babait të tij.
Gucati do të qëndrojë deri të dielën në Kosovë nën përcjelljen e policisë se EULEX-it.
Atij i është lejuar vizita në shtëpinë e tij në Marinë të Skenderajt, ku ka qëndruar vetëm dy orë dhe nën përcjelljen e policisë së EULEX-it ai është sjellë në Prishtinë, raporton RTK.
Ndryshe, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara për Kosovën në Hagë, Angela Griep ka thënë se Gucati është lejuar për vizitë me rekomandim të Trupit Gjykues për ta takuar familjen e tij të ngushtë.
Ajo thekson se Gucati mbetet në paraburgim.
“Në baza plotësisht humane, Trupi Gjykues ka udhëzuar Sekretarin që t’ia aprovojë z. Gucatit një vizitë paraburgimi në Kosovë për ta takuar familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në paraburgim pranë Dhomave të Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës na kanë dalë në ndihmë në mënyrë që kjo vizitë të kalojë pa asnjë problem”, ka thënë Griep.
Kujtojmë se Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 në Prishtinë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, përkatësisht më 25 dhe 26 shtator 2020.
Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës e ka caktuar shpalljen e aktgjykimit në çështjen e Prokurorit të Specializuar kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, më 18 maj në orën 10:00. /Gazeta Papirus/