I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, sot pritet të vijë për vizitë zyrtare në Kosovë.
Burime të “Telegrafit” bëjnë të ditur se i dërguari i kancelarit gjerman, Olaf Scholz, do të takohet me zëvendëskryeministren dhe njëherësh ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvallën.
Kjo është vizita e parë e emisarit Sarrazin në Kosovë, që nga emërimi i tij në këtë pozitë në shkurt të këtij viti.
Ditë më parë, ai ishte për vizitë zyrtare edhe në Serbi, ku u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Në takim, siç njoftoi presidenca serbe, është diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi.
“Duke folur për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, bashkëbiseduesit u pajtuan se bisedimet janë mënyra e vetme e drejtë për zgjidhjen e çështjeve të hapura, si dhe për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme”, thuhej në njoftim.